Pasi Nikolin Nikoqiri i SORI-Al dhe gruaja e tij Alma Tafani helmuan studentët e Akademisë së Sigurisë, AKU doli me bujë duke degjeneruar biznesin që prej vitesh ishte ushqyer me miliona nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Në reagim mes rreshtave, kompania e Nikoqirit hodhi me spond akuza drejt AKU për një gjobë të papaguar.
AKU njoftoi se pasi mori mostra nga ambientet e kuzhinës së Akademisë së Sigurisë, si dhe nga kuzhina e Garnizonit të Forcave të Armatosura në Tiranë, rezultatet laboratorike të kryera nga ISUV, parametrat e higjienës kanë rezultuar brenda normave të lejuara.
Ironikisht pas denigrimit publik për makarona me stafilokok dhe e coli e kushtet mizerable ku punohej, AKU ndërroi mendje.
Pasi i pagoi gjobën Blerina Gjylametit, AKU zhbllokoi subjektin pas pezullimit dhe aktiviteti i kompanisë kanceroze nisi të funksionojë normalisht.
Por Prokuroria e Tiranës ka intensifikuar hetimet lidhur me rastin e dyshuar të helmimit të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë, duke i kërkuar sërish sqarime Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) për vendimin që çoi në zhbllokimin e aktivitetit të subjektit “Sori-Al”.
Në një shkresë të dytë zyrtare, organi i akuzës kërkon detaje mbi procedurat e ndjekura, si dhe arsyet konkrete që justifikuan heqjen e masës së mëparshme administrative të bllokimit ndaj këtij subjekti.
Paralelisht me hetimin administrativ, prokuroria ka sekuestruar kartelat mjekësore të 56 studentëve të Akademisë së Sigurisë. Dokumentet janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohen ekspertizës për të përcaktuar natyrën e helmimit dhe lidhjen e mundshme me ushqimin e konsumuar.