Një situatë shqetësuese po denoncohet nga banorët e zonës së Freskut në Tiranë, pranë pallatit 3D, ku prej disa ditësh mbeturinat janë grumbulluar në të dy anët e rrugës, duke krijuar kushte të papërshtatshme për banorët dhe kalimtarët.
Sipas denoncimit të mbërritur në redaksi, era e keqe është bërë e padurueshme dhe lëvizja në zonë është bërë pothuajse e pakalueshme. Banorët shprehen se mbeturinat po shtohen çdo ditë, ndërsa askush nuk po ndërhyn për pastrimin e zonës.
Ata thonë se kanë njoftuar edhe institucionet përkatëse, përfshirë Bashkinë e Tiranës, por deri tani nuk është marrë asnjë masë konkrete për zgjidhjen e problemit.
Banorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga autoritetet, pasi situata po kthehet në një shqetësim serioz për higjienën dhe shëndetin e tyre, sidomos me temperaturat e larta të këtyre ditëve.