Dominues por të “Sjellshëm”: Biba i Konkurrencës fal Spitalin Amerikan dhe Hygeia

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 25.05.2026, 19:30

Një vendim i marrë në fshehtësi të plotë dhe i publikuar me muaj vonesë nga Autoriteti i Konkurrencës ka ngritur pikëpyetje të mëdha mbi transparencën dhe llogaridhënien e këtij institucioni kushtetues.

Dokumentet zyrtare dëshmojnë se institucioni i drejtuar nga Denar Biba ka vendosur të mbyllë hetimin paraprak ndaj dy gjigantëve të mjekësisë private në vend, Spitalit Amerikan dhe Spitalit Ndërkombëtar (Hygeia), të njohur ndryshe si dy spitalet e Klodian Allajbeut.

Ndonëse hetimi i hapur në prill të vitit 2025 u mbyll me shpejtësi brenda pak muajsh, konkretisht në korrik të po atij viti, vendimi u la qëllimisht në sirtarë duke u zbardhur vetëm së fundmi, çka ka nxitur dyshime të forta për mënyrën se si trajtohen çështjet sensitive në sektorin kritik të shëndetësisë.

Në raportin zyrtar të analizës, Komisioni i Konkurrencës pranon me nota të qarta dhe të pakontestueshme se dy spitalet në fjalë gëzojnë një pozitë të pastër dominuese në tregun e shërbimeve spitalore private në Shqipëri.

Ato jo vetëm që zotërojnë pjesën dërrmuese të tregut, por ofrojnë edhe shërbime jetike e të avancuara të cilat nuk gjenden në asnjë strukturë të sektorit publik. Ndërhyrjet tejet të specializuara si trombektomia mekanike, transplantet e veshkave apo teknologjitë e larta diagnostikuese si PET-CT, konsiderohen nga vetë ligji si "shërbime të domosdoshme".

Kjo do të thotë se barrierat për të hyrë në këtë treg janë tejet të larta për shkak të kostove të mëdha teknologjike dhe mungesës së stafit, duke bërë që çdo manual i mbrojtjes së konkurrencës të kërkonte një alarm të kuq dhe monitorim të rreptë ndaj rrezikut të abuzimit me çmimet dhe pacientët.

Por, në një kthesë të çuditshme dhe krejtësisht kontradiktore, Autoriteti i Konkurrencës ka dalë në përfundimin se, pavarësisht këtij dominimi absolut, nuk ka prova për sjellje abuzive. Argumenti i përdorur prej tyre është se spitalet janë treguar "të mira" duke ofruar politika fleksibile çmimesh, zbritje për kategori të caktuara dhe se tarifat për shërbimet që mbulon shteti janë transparente.

Ky arsyetim vuan nga mangësi të thella logjike, pasi profesioni i rregullimit të çmimeve nga skemat publike nuk garanton që qytetarët nuk abuzohen në segmentet e tjera krejtësisht private. Vetë institucioni pranon se qytetarët nuk kanë asnjë alternativë tjetër tregu dhe janë të detyruar të trokasin në dyert e këtyre spitaleve, gjë që e bën pozitën e tyre edhe më monopolizuese.

Paradoksi thellohet edhe më shumë kur sheh se këto struktura private jo vetëm që vjelin paratë e qytetarëve, por sigurojnë flukse të qëndrueshme parash direkt nga buxheti i shtetit përmes kontratave me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor.

Edhe në raport është treguar kujdes i veçantë për të fshehur dhe nxirë shifrat konkrete të përfituara, është e qartë se dy spitalet operojnë me fitime të jashtëzakonshme të garantuara nga taksat e shqiptarëve.

Ndërkohë, tentativa e Autoritetit për të justifikuar mungesën e konkurrencës vendase me pretekstin se tregu është "rajonal", pasi pacientët mund të zgjedhin të kurohen në Turqi apo në shtetet fqinje, shkon deri në kufijtë e qesharakes, pasi ky opsion nuk përbën kurrë një alternativë reale apo të përballueshme për pjesën dërrmuese të familjeve shqiptare.

Në fund, ajo që duhej të ishte një ndërhyrje e fortë rregullatore është katandisur në një vendim thjesht formal për të "larë duart". Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur thjesht një periudhë monitorimi njëvjeçar, duke e kaluar situatën me një kompromis të vakët administrativ.

Ky qëndrim zbeh hapur rrezikun e monopoleve dhe dëmton rëndë misionin parësor të institucionit për mbrojtjen e konsumatorit dhe garës së lirë, duke dëshmuar më shumë një shmangie të hapur nga përgjegjësia sesa një analizë serioze të tregut spitalor në Shqipëri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit