“Më kërcënuan dhe më futën me forcë në makinë”/ Ervin Dushi: Më detyruan të deklaroja paqe pas takimit me avokatin Pjetraj

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.05.2026, 01:09

Gazetari Ervin Dushi i është drejtuar sërish redaksisë së JOQ Albania me një tjetër dëshmi të rëndë, duke pretenduar se është kërcënuar dhe dhunuar përsëri, vetëm pak ditë pasi Policia e Shkodrës arrestoi pronarin e rrjetit të marketeve “Xhedis”, Prek Gjoni, dhe dy persona të tjerë për ngjarjen e ndodhur disa ditë më parë.

Në një video të mbërritur në redaksinë tonë, e regjistruar mbrëmjen e së shtunës, Dushi deklaron se fillimisht kishte pranuar një takim “në mirëbesim”, me ndërmjetësimin e miqësive dhe shoqërive, ku ishte i pranishëm edhe avokati Ndue Pjetra.

Sipas gazetarit, situata ka ndryshuar menjëherë pas largimit të personave të tjerë nga takimi.

“Pas largimit të të pranishmëve, teksa po shkoja në shtëpi, u ndala dhe nën kërcënime më detyruan të hipja në makinë për të shkuar të bëja një deklaratë sikur po bënim paqe dhe do të tërhiqnim denoncimin në polici”, shprehet Dushi në video.

Gazetari thotë se, duke qenë i vetëm dhe nën presion, ka pranuar të bëjë deklaratën, e cila sipas tij është publikuar edhe në faqen e tij zyrtare në TikTok.

Por sipas pretendimeve të tij, ngjarja nuk ka përfunduar aty. Dushi deklaron se gjatë momentit kur po regjistrohej deklarata në zonën e Pedonales në Shkodër, është kërcënuar dhe dhunuar sërish.

“Aty ku quhet Pedonale, zoteria i shoqëruar nga shokët e tij, pas kamerave, teksa bënim deklaratën, më kërcënuan dhe gjithashtu ushtruan edhe dhunë”, dëgjohet të thotë ai.

Gazetari pretendon se e gjithë situata është e dokumentuar nga kamerat e sigurisë së Policisë së Shkodrës dhe të bizneseve të zonës, ndërsa shprehet se do të bëjë një tjetër kallëzim zyrtar.

Kjo ngjarje vjen pas një serie zhvillimesh që JOQ Albania ka ndjekur ditët e fundit lidhur me konfliktin mes gazetarit dhe pronarit të “Xhedis”.

Fillimisht, Ervin Dushi denoncoi publikisht se ishte dhunuar nga disa persona, mes të cilëve sipas tij ndodhej edhe Prelë (Prek) Gjoni. Më pas policia konfirmoi kallëzimin dhe nisi hetimet, ndërsa vetë Gjoni i mohoi akuzat duke deklaruar se gazetari ishte rrëzuar vetë gjatë debatit.

Pak ditë më parë, Policia e Shkodrës njoftoi arrestimin e Prelë Gjonit dhe dy personave të tjerë, të dyshuar për dhunimin e gazetarit për shkak të detyrës.

Ndërkohë, me dëshminë e fundit të Ervin Dushit, ngjarja duket se ka marrë zhvillime të reja dhe edhe më shqetësuese, ndërsa pritet reagimi i Policisë së Shkodrës dhe verifikimi i plotë i pretendimeve të ngritura nga gazetari.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit