Java e fundit e Serie A dhuroi një mbrëmje të çmendur emocionesh dhe përmbysjesh, ku viktimat më të mëdha rezultuan Milani dhe Juventusi. Dy gjigandët italianë mbetën jashtë Champions League, ndërsa surpriza e sezonit, Como e Cesc Fabregas, shkroi historinë duke siguruar një vend mes katër më të mirave të Italisë.
Drama më e madhe u regjistrua në “San Siro”, aty ku Milani kishte nevojë vetëm për një pikë ndaj Cagliarit për të blinduar zonën Champions. Kuqezinjtë e nisën ndeshjen në mënyrën perfekte me golin e shpejtë të Saelemaekers në minutën e 2-të, por gjithçka u shemb më pas.
Cagliari barazoi fillimisht me Borrelli dhe në pjesën e dytë Rodriguez përmbysi rezultatin, duke vulosur humbjen 1-2 të Milanit. Një disfatë katastrofike që i rrëzoi kuqezinjtë nga vendi i tretë në të gjashtin brenda vetëm 90 minutash.
Ndërkohë, Juventusi po fiton ndaj Torinos me rezultatin 1-2, por as kjo nuk mjafton. Bardhezinjtë janë me pikë të barabarta me Comon, por ekipi surprizë kishte avantazhin e ndeshjeve direkte, pasi kishte mposhtur Juven në të dy përballjet sezonale.
Como përfitoi maksimalisht nga gabimet e rivalëve dhe me fitoren bindëse 1-4 ndaj Cremoneses siguroi historikisht pjesëmarrjen për herë të parë në Champions League. Një sukses i jashtëzakonshëm për skuadrën e drejtuar nga Cesc Fabregas, që deri pak vite më parë ndodhej larg elitës italiane.
Roma bëri detyrën ndaj Veronës duke fituar 0-2 dhe siguroi gjithashtu një vend në Champions.
Në fund, katër skuadrat që do të përfaqësojnë Italinë në Champions League sezonin e ardhshëm janë: Interi, Napoli, Roma dhe Como.
Ndërsa Juventusi dhe Milani do të duhet të “ngushëllohen” me Europa League, në një fund sezoni që për tifozët e tyre do të mbahet mend si një nga zhgënjimet më të mëdha të viteve të fundit.