Prej më shumë se 20 vitesh, banorët në lagjen “Lugu i Dardhës”, Sarandë, po përballen me një situatë të rënduar infrastrukturore që sipas tyre është lënë në harresë nga institucionet.
Rruga është e shkatërruar dhe pa ndriçim publik, duke e bërë kalimin veçanërisht të vështirë gjatë natës për familjarët, fëmijët dhe të moshuarit. Banorët thonë se për vetëm rreth 200 metra rrugë, automjetet dëmtohen vazhdimisht, ndërsa deri më tani nuk është marrë asnjë masë për ndërhyrje.
Ata shprehen të revoltuar se, ndërkohë që pjesa tjetër e lagjes po shtrohet me beton dhe asfalt, madje disa rrugë janë rikonstruktuar më shumë se një herë, kjo rrugë është lënë plotësisht pas dore, pavarësisht se aty jetojnë mbi 15 familje.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Sarandës për rehabilitimin e rrugës dhe vendosjen e ndriçimit publik, duke theksuar se gjendja aktuale është e papranueshme dhe rrezikon përditshmërinë e tyre.