“Kamikazi” rrezikon jetën e qytetarëve, futet në parakalim në kthesë dhe pa fushëpamje

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.05.2026, 23:38

Një denoncim i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania tregon edhe njëherë rrezikun që krijohet nga parakalimet e papërgjegjshme në rrugët e vendit.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e sotme në Rrugën e Arbërit, ku një drejtues mjeti tip SUV me targa AA 125 YT ka kryer një manovër tejet të rrezikshme në një kthesë pa fushëpamje, duke rrezikuar seriozisht përplasjen ballore me automjetin që po vinte përballë.

Siç duket qartë edhe në pamjet e regjistruara nga kamera e një automjeti tjetër, shoferi del për parakalim pikërisht në momentin kur rruga futet në kthesë dhe pamja është e kufizuar. Brenda sekondash, përballë tij shfaqet një tjetër makinë që po qarkullonte normalisht në korsinë e saj.

Përplasja është shmangur vetëm falë reagimit të shpejtë të drejtuesve të mjeteve, ndërsa situata ka qenë për pak sekonda jashtë kontrollit, pasi një manovër e tillë në një aks si Rruga e Arbërit mund të kishte përfunduar në tragjedi.

Qytetari që ka dërguar pamjet në redaksinë tonë apelon për më shumë kujdes dhe përgjegjësi në timon, duke kujtuar se një parakalim i gabuar mund të kushtojë jetë njerëzish.

Mesazhi i plotë i denoncuesit:

“Përshëndetje JOQ! Te Rruga e Arbrit për fije të flokut sa nuk u bënë sallatë... një Zot e di se çfarë e detyroi të bëjë atë parakalim në kthesë, pa fushëpamje. Mjeti me targë AA 125 YT. Mos nxitoni se po ju presin në shtëpi!”

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit