Minjtë “pushtojnë” këndin e lojërave, qytetarët: “Kemi frikë të sjellim fëmijët!”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 24.05.2026, 20:55

Një tjetër denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania, këtë herë nga zona e Rrugës së Elbasanit në Tiranë, ku qytetarët ngrenë alarmin për praninë e lartë të minjve pranë këndit të lojërave për fëmijë.

Në videon e dërguar nga qytetarja shihen qartë disa minj që lëvizin lirshëm në ambientet ku çdo ditë luajnë dhjetëra fëmijë. Pamjet kanë shkaktuar shqetësim tek prindërit, të cilët thonë se tashmë kanë frikë t’i çojnë të vegjlit në park.

“Shikojeni çfarë bëhet me minjtë tek Rruga e Elbasanit. Ku është shteti? Ka mbetur keq për ilaç minjsh! Kemi frikë të sjellim fëmijët tek këndi i lojërave se e kanë zaptuar minjtë”, shkruan qytetarja për JOQ Albania.

Prania e minjve në zona publike nuk është vetëm problem estetik apo shqetësim për qytetarët, por një rrezik serioz për shëndetin publik. Minjtë njihen si përhapës të shumë sëmundjeve infektive dhe baktereve të rrezikshme, ndërsa ekspertët kanë paralajmëruar vazhdimisht për rrezikun e kontaminimit në ambiente të frekuentuara nga fëmijët.

Një nga viruset që lidhet me brejtësit është edhe hantavirusi, i cili transmetohet përmes urinës, jashtëqitjeve apo kontaktit me sipërfaqe të kontaminuara nga minjtë. Në raste të caktuara, infeksioni mund të shkaktojë komplikacione serioze shëndetësore.

Shqetësues mbetet fakti se kjo nuk është hera e parë që në redaksinë e JOQ Albania mbërrijnë ankesa për praninë masive të minjve në kryeqytet. Qytetarë nga zona të ndryshme të Tiranës kanë denoncuar vazhdimisht mungesën e dezinfektimit dhe deratizimit, ndërsa situata duket se po del jashtë kontrollit.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse për pastrimin dhe deratizimin e zonës, përpara se problemi të kthehet në një rrezik real për shëndetin e qytetarëve dhe fëmijëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit