Pas publikimit në JOQ Albania të videos shqetësuese nga bregdeti i Dhërmiut, ku një skaf lëvizte fare pranë pushuesve duke rrezikuar jetën e tyre, ka ardhur edhe reagimi i Policisë Kufitare të Vlorës.
Policia njofton se pas denoncimit të qytetarëve dhe publikimit të pamjeve në JOQ, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, kanë ndërhyrë menjëherë duke identifikuar drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin me iniciale F.D.
Sipas njoftimit zyrtar, drejtuesi i gomones kishte shkelur perimetrin e sigurisë, duke futur mjetin pranë zonës ku po laheshin pushuesit, një veprim që mund të sillte pasoja tragjike.
Në përfundim të procedurave administrative, Policia ka vendosur ndaj tij një gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj, ndërsa mjeti lundrues është bllokuar.
Ngjarja riktheu edhe një herë shqetësimin për sigurinë në plazhet shqiptare, sidomos pas tragjedisë së rëndë të verës 2022, ku humbi jetën 7-vjeçarja Jolanda Avdiaj pasi u godit nga një skaf pranë zonës së pushuesve.
Policia Kufitare apelon ndaj të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese që të respektojnë rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë në zonat e plazhit, për të shmangur rrezikimin e jetës së qytetarëve.