Një histori e rëndë njerëzore ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga bregdeti i Lezhës, ku prej pesë muajsh një ekuipazh i huaj detarësh jeton i izoluar në një anije të bllokuar pranë bregut.
Kapiteni i anijes “Besart”, Shafiq Aboud Asmander, një 70-vjeçar sirian me dekada eksperiencë në detari, thotë se ai dhe katër anëtarë të tjerë të ekuipazhit ndodhen prej muajsh në kushte tepër të vështira, pa energji elektrike, pa furnizim të rregullt me ujë dhe pa marrë pagat e tyre.
Sipas dëshmisë së tij, ekuipazhi kishte mbërritur në Shqipëri rreth 11 muaj më parë. Më pas, gjatë një stuhie të fortë, anija ishte futur në brigjet e zonës së njohur si Shën Ded Gjoni, midis plazhit të Talës dhe grykëderdhjes së lumit Mat, për t’u mbrojtur nga moti i keq, por përfundoi e bllokuar pranë bregut ranor, ku ndodhet ende edhe sot.
Kapiteni shpjegon se anija është e anuar me mbi 10 gradë dhe ekuipazhi nuk mund të largohet, pasi situata kërkon procedura detare, ndërhyrje të autoriteteve dhe zgjidhje ligjore mes pronarit të anijes dhe institucioneve përgjegjëse.
Në videon dhe mesazhet e dërguara në redaksinë tonë, ai e përshkruan gjendjen si dramatike.
“Nuk kemi ujë, nuk kemi energji elektrike dhe anija është e anuar mbi 10 gradë. I gjithë ekuipazhi janë të sëmurë. Ne vetëm duam të marrim pagat tona dhe të kthehemi pranë familjeve tona për Bajram”, shprehet kapiteni.
Sipas tij, ekuipazhi nuk ka marrë asnjë pagesë prej muajsh, ndërsa pretendon se ka kërkuar ndihmë pranë autoriteteve portuale, policisë dhe institucioneve të tjera, por deri tani nuk është gjetur një zgjidhje përfundimtare.
Kapiteni thotë se disa prej anëtarëve të ekuipazhit vuajnë nga probleme serioze shëndetësore, përfshirë diabetin dhe sëmundje të tjera kronike, ndërsa vetë deklaron se ka probleme kardiovaskulare dhe neurologjike.
Në një nga mesazhet e tij më prekëse, ai shkruan:
“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, vetëm pagat tona dhe të kthehemi pranë familjeve tona.”
Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi trajtimin e ekuipazheve të huaja në situata të tilla dhe mbi procedurat që ndiqen kur anije tregtare mbeten të bllokuara për periudha të gjata në territorin shqiptar.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me këtë situatë.
JOQ Albania i bën thirrje autoriteteve përkatëse që të verifikojnë rastin dhe të ndërhyjnë për një zgjidhje sa më humane dhe ligjore për ekuipazhin që vazhdon të mbetet i izoluar në bregdetin e Lezhës, larg familjeve dhe në kushte të vështira jetese.

Vendndodhja e anijes