“Toni i konservuar si kakërdhi miu, po nëse do t’i konsumonte një fëmijë?!”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 23.05.2026, 20:40

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim shqetësues që lidhet me sigurinë ushqimore, duke publikuar pamje të disa konservave me ton, të cilat sipas tij rezultojnë tërësisht të pakonsumueshme.

Bëhet fjalë për ton të konservuar të markës “Via Mare”, ku qytetari thotë se ka blerë 5 kanoçe dhe të gjitha kanë rezultuar në gjendje të dyshimtë, me përmbajtje që sipas tij ngjan me mbetje të prishura dhe me pamje alarmante.

Në videon e dërguar në redaksinë tonë, ai shprehet i revoltuar për rrezikun që produkte të tilla mund të paraqesin për konsumatorët, sidomos për fëmijët.

“Përshëndetje JOQ! Doja t’ju bëja me dit për këtë problem. Kam blerë 5 kanoçe me ton të konservuar që janë të pakonsumueshme. Mirë ne të mëdhenjtë, por nëse një fëmijë i vogël do ta konsumonte, nuk e di se si do përfundonte. Shikojeni. 5 kanoçe kam blerë, të 5 janë kështu. Faleminderit nëse e postoni. Që kështu të paktën njerëzit të shpëtojnë nga këto mbeturina që po blejnë me lekë”, shprehet ai.

Në mesazhin e tij për JOQ Albania, qytetari shton se përmbajtja e konservave ishte e ndarë në formë të çuditshme dhe me pamje tepër të dyshimtë.

“Kam hapur 5 kutia që bleva dhe të pesta janë të pakonsumueshme. Për njerëzit që nuk e kuptojnë dhe e konsumojnë pa e ditur që është i prishur, mund të jetë shumë e rrezikshme”, shkruan ai.

Rasti ngre pikëpyetje serioze mbi kontrollin e produkteve ushqimore që tregtohen në vend dhe nevojën për verifikime të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, pasi produkte të tilla mund të kthehen në një rrezik real për shëndetin e qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit