Falsifikimi i monedhave mbetet një fenomen shqetësues në Shqipëri, ndërsa gjatë vitit 2025 është regjistruar një rritje e procedimeve penale për këtë vepër. Sipas statistikave të fundit të Prokurorisë së Përgjithshme, procedimet për veprat penale “Falsifikimi i monedhave dhe letrave me vlerë” u rritën nga 37 që ishin në vitin 2024, në 38 gjatë vitit 2025.
Gjatë kësaj periudhe është shënuar rritje edhe për numrin e çështjeve të dërguara në gjykatë, duke kaluar nga 10 në 13 procedime.
Të dhënat zyrtare tregojnë se, megjithëse ka pasur më shumë procedime të hapura, numri i të pandehurve të regjistruar ka pësuar një rënie të lehtë nga 15 në 12.
Megjithatë, organet e drejtësisë kanë qenë më efikase në çuarjen e rasteve deri në fund, pasi është rritur ndjeshëm numri i të pandehurve të dërguar në gjykatë nga 11 në 21, si dhe numri i personave të dënuar nga gjykata, duke u rritur nga 7 në 18 persona.
Nga analiza e profilit të personave të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, rezulton se pjesa dërrmuese e të pandehurve janë meshkuj madhorë, të cilët përbëjnë 95,8% të totalit, ndërsa femrat zënë vetëm 4,2%. Për sa i përket nivelit arsimor, 52,2% e tyre kanë arsim të mesëm, 30,4% arsim deri në 9-vjeçar dhe 17,4% gëzojnë arsim të lartë.
Në aspektin e punësimit, 46,7% e të pandehurve rezultojnë të punësuar në sektorin privat, 26,6% në sektorin shtetëror dhe po 26,6% janë të papunë. Një e dhënë tjetër interesante është se 95,6% e tyre rezultojnë të padënuar më parë, çka tregon se kryesisht bëhet fjalë për persona pa një historik kriminal.
Kryeqyteti mbetet qendra kryesore e këtij fenomeni ilegal, pasi Tirana kryeson bindshëm për numrin e procedimeve të regjistruara për falsifikim monedhash dhe letrash me vlerë, duke zënë plot 45% të totalit në shkallë vendi.
Pas saj renditet Vlora me 18% të rasteve dhe Fieri me 10% të procedimeve të regjistruara. Në kontrast të plotë me këto qytete, në prokuroritë e Dibrës, Durrësit, Kukësit dhe Beratit nuk është regjistruar asnjë procedim penal për këtë kategori veprash përgjatë gjithë vitit 2025, duke u shfaqur si zonat ku ky aktivitet kriminal nuk ka qenë prezent.