Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Pirgos të Greqisë, ku një 55-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në një aksident rrugor teksa kthehej nga puna. Viktima është identifikuar si Fatmir Dyrmishi, i cili po lëvizte me biçikletë në nyjën lidhëse që bashkon autostradën Patra–Pyrgos me rrugën Agiou Georgiou.
Sipas raportimeve nga mediat greke, tragjedia ndodhi në momentin kur një kamion po kthehej për të marrë drejtimin drejt autostradës. Në atë çast, Dyrmishi ka tentuar të bëjë një manovër parakalimi ndaj mjetit të rëndë me biçikletën e tij, por ka përfunduar fatalisht nën rrotat e kamionit. Situata u rëndua edhe më shumë pasi ai mbante mbi biçikletë edhe një kositëse bari, gjë që ia vështirësoi lëvizshmërinë dhe manovrimin e shpejtë për të shmangur përplasjen.
Pavarësisht ndihmës së parë dhe transportimit të menjëhershëm për në spital, plagët e marra ishin shumë të rënda dhe mjekët grekë nuk ia dolën dot ta mbajnë në jetë. Fatmir Dyrmishi punonte si punëtor krahu në zonë dhe jetonte i vetëm në Greqi, pasi të gjithë familjen e tij e kishte në Shqipëri. Autoritetet vendase kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti tragjik.