Franca i ndalon hyrjen ministrit izraelit Itamar Ben-Gvir

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 23.05.2026, 18:11

Franca ka marrë vendimin zyrtar për të ndaluar hyrjen në territorin e saj të ministrit izraelit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir. Ky vendim ekstrem diplomatik vjen pas publikimit të disa pamjeve ku zyrtari i lartë izraelit shihej duke u tallur me aktivistët e arrestuar të flotiljes humanitare “Global Sumud”.

Vendimi u bë publik nga ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, i cili e cilësoi sjelljen e Ben-Gvir si të papranueshme dhe si një cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit njerëzor të qytetarëve francezë dhe europianë.

Përplasja nisi pasi forcat detare izraelite ndaluan flotiljen në ujërat ndërkombëtare pranë Qipros dhe arrestuan rreth 430 pjesëmarrës. Në videot që qarkulluan me shpejtësi në rrjetet sociale, aktivistët shfaqeshin të gjunjëzuar, me sy të lidhur dhe duar të prangosura, ndërsa Ben-Gvir tallej hapur me situatën e tyre.

Këto pamje shkaktuan një valë të madhe zemërimi dhe reagimesh të ashpra ndërkombëtare, veçanërisht në Europë.

Si pasojë e këtij incidenti, Franca, Italia, Holanda, Kanadaja dhe Spanja reaguan menjëherë duke thirrur ambasadorët izraelitë në vendet respektive për të kërkuar shpjegime zyrtare dhe për të dënuar trajtimin e aktivistëve.

Autoritetet franceze prenë shkurt çdo tolerancë, duke theksuar se nuk mund të pranojnë kërcënime apo dhunë ndaj shtetasve të tyre, aq më tepër kur kjo vjen nga një zyrtar i lartë shtetëror.

Në deklaratën e tij, ministri Barrot nënvizoi se veprimet e fundit të Ben-Gvir janë pjesë e një serie të gjatë deklaratash dhe sjelljesh që nxisin urrejtje dhe dhunë ndaj palestinezëve. Ai i bëri thirrje zyrtare edhe Bashkimit Europian që të ndjekë shembullin e Parisit, duke marrë masa kolektive dhe duke vendosur sanksione ndaj ministrit izraelit.

Ky skandal ka çuar në pikën më të ulët marrëdhëniet diplomatike mes Izraelit dhe disa vendeve europiane, ndërsa organizatat për të drejtat e njeriut po bëjnë presion të shtuar për nisjen e një hetimi të pavarur ndërkombëtar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit