Në prag të sezonit, Universiteti i Tiranës lë studentët pa paketën Office

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 23.05.2026, 16:48

Ndërsa universitetet në shumë vende po e trajtojnë teknologjinë si pjesë thelbësore të studimeve dhe po zgjerojnë aksesin për studentët, Universiteti i Tiranës ka marrë një vendim që e ngushton këtë akses, duke hequr një nga shërbimet bazë digjitale të përdorura prej vitesh në jetën akademike.

Në prag të sezonit të provimeve, është njoftuar ndërprerja e licencës falas Microsoft Office 365 A1 Plus, çka sjell kufizim të aksesit në versionet desktop të programeve kryesore si Word, Excel, PowerPoint dhe Outlook për studentët, pedagogët dhe administratën.

Këto programe nuk kanë qenë thjesht mjete pune, por pjesë thelbësore e aktivitetit akademik: përmes tyre janë realizuar punime diplome, leksione, projekte kërkimore dhe është menaxhuar dokumentacioni universitar.

Sipas njoftimit, përdoruesit me email-et @unitir.edu.al do të vazhdojnë të kenë akses vetëm në versionet online të Office-it, ndërsa përdorimi i versioneve të instaluara në kompjuter do të kërkojë blerje individuale të licencës.

Në thelb, një shërbim i ofruar falas për rreth dhjetë vite po hiqet, duke e kaluar koston te vetë studentët dhe stafi akademik.

Situata rëndohet edhe më shumë nga koha kur vjen ky vendim, në kulmin e provimeve, kur studentët janë të ngarkuar me detyra, projekte dhe punime përfundimtare dhe duhet të përshtaten me kufizimet e versioneve online ose të përballojnë vetë shpenzimet.

Edhe pse universiteti e justifikon këtë ndryshim si pasojë e politikave të Microsoft-it në nivel global, për përdoruesit realiteti mbetet i njëjtë: një mjet i rëndësishëm pune nuk ofrohet më falas.

Në një universitet publik ku shumë studentë përballen me vështirësi ekonomike, edhe një program kompjuterik kthehet në një kosto shtesë. Në fund, mbetet një situatë kontradiktore: ndërsa flitet për digjitalizim dhe modernizim, në praktikë studentëve dhe pedagogëve u kërkohet të punojnë me më pak mjete në dispozicion.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit