Pas zbulimit të një telefoni celular në qelinë e Bledar Selmanajt, i akuzuar për vrasjen e Xhulio Bullarit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shtuar masat e kontrollit në burgun e Peqinit, duke ndërmarrë aksione të befasishme në ambientet e institucionit.
Gjatë kontrolleve të kryera nga Forcat Operacionale është zbuluar një tjetër telefon celular, këtë herë në qelinë e Gazmend Brakës, i njohur ndryshe si “Gaxhai”. Burime bëjnë me dije se gjatë verifikimeve janë sekuestruar në total katër aparate celularë, ndërsa po hetohet mënyra se si këto pajisje kanë mundur të futen brenda qelive të burgut.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lidhur me rezultatet e operacionit apo masat disiplinore që mund të merren pas zbulimit të sendeve të ndaluara.
Kontrollet në burgje janë shtuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit, në kuadër të përpjekjeve për të frenuar futjen e sendeve të paligjshme dhe për të rritur sigurinë në institucionet penitenciare.
Gazmend Braka, i njohur si “Gaxhai”, konsiderohet një prej emrave më të njohur të botës kriminale në Shqipëri, me aktivitet të lidhur kryesisht me trazirat e vitit 1997 në Vlorë. Ai është përmendur si një nga figurat kryesore të grupeve të armatosura që vepronin në qytetin bregdetar të Vlorës gjatë asaj periudhe.
Emri i tij u bë i njohur pas përplasjeve të ashpra të kohës, ndërsa më pas ai është përfshirë në disa procese hetimore dhe gjyqësore. Gjatë viteve, “Gaxhai” është arrestuar dhe dënuar për vepra të ndryshme penale, ndërsa së fundmi ka rikthyer sërish vëmendjen për shkak të zhvillimeve të fundit në burgun e Peqinit, ku po vuan dënimin.
Banda e Gaxhait u krijua në mars të vitit 1997 dhe konsiderohej rivale e bandës së Çoles, e drejtuar nga Zani Çaushi. Konflikti mes dy grupeve nisi më 9 maj të atij viti pas vrasjes së Bernard Duçkës, i njohur si “Kuqo”, pjesë e grupit të Gaxhait.
Pas kësaj ngjarjeje, Gaxhai tentoi të siguronte mjete të blinduara të policisë për t’u përfshirë në përballje me grupin rival, por nuk arriti ta realizonte. Me përfundimin e trazirave dhe arrestimin e pjesëtarëve të dy grupeve, konflikti u shua, megjithëse tensionet dhe dëshira për hakmarrje kishin arritur kulmin. Baza kryesore e grupit të Gaxhait ishte vendosur në zonën e Cerkovinës.