Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, pranoi se zgjerimi i segmentit të parë të autostradës Tiranë-Durrës nuk ka arritur të zgjidhë problemin e trafikut të rënduar, duke e cilësuar situatën si një “hinkë” që vazhdon të krijohet në zonën e Rinasit. Sipas tij, ndonëse janë hapur korsitë shtesë në 6 kilometrat e para në drejtim të Tiranës dhe aeroportit, trafiku vijon të mbetet problematik në pikat kyçe të aksit.
Karakaçi deklaroi se një nga ndërhyrjet kryesore që do të realizohet është shembja e mbikalimit aktual të Rinasit dhe ndërtimi i një mbikalimi të ri me 4 korsi. Ai tha se projekti parashikon gjithashtu zgjerimin e mëtejshëm të rrugës me edhe 2 kilometra korsi shtesë, me synimin për të lehtësuar qarkullimin në një nga akset më të ngarkuara të vendit.
I pyetur nëse autostrada Tiranë-Durrës do të mbetet pa pagesë, ministri u përgjigj se “për momentin” rruga do të vazhdojë të jetë falas. Deklarata e tij ka nxitur reagime dhe diskutime mbi efektivitetin e investimeve të deritanishme në këtë aks, i cili prej vitesh përballet me trafik të rënduar dhe ndërhyrje të vazhdueshme infrastrukturore.