Tenderi për zyra i Oltion Çaçit në Bashkinë e Sarandës ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën e administrimit të fondeve publike, në një kohë kur disa prej projekteve kryesore infrastrukturore në qytet vijojnë të mbeten të papërfunduara.
Teksa rrugët, terminali i autobusëve dhe investimet e premtuara publike zvarriten prej muajsh, administrata vendore ka vendosur të financojë ndërtimin e ambienteve të reja për Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike.

Projekti, i shpallur në mars të vitit 2026, parashikon ndërtimin e një zyrave për Ndërmarrjen e Shërbimeve Publike në Volloder. Fondi limit i procedurës është përcaktuar në rreth 394 milionë lekë të vjetra pa TVSH, ndërsa me TVSH vlera totale arrin afro 473 milionë lekë.
Por procedura është shoqëruar me dyshime për shkelje dhe favorizim. Open Data Albania e ka klasifikuar tenderin me “Flamur të Kuq”, duke sinjalizuar risk të lartë për korrupsion dhe mungesë gare reale.
Nga shtatë kompani pjesëmarrëse, gjashtë prej tyre janë skualifikuar, duke e kthyer praktikisht garën në një procedurë me një operator të vetëm.
Fitues është shpallur subjekti “TEA-D” shpk, në pronësi të Dintar Thanasit, me ofertë rreth 370 milionë lekë pa TVSH, edhe pse në garë kishte oferta ndjeshëm më të ulëta. Komisioni i vlerësimit i emëruar nga Bashkia Sarandë vendosi të shpallë fituese ofertën më të lartë.