“Teli i korentit më ra para këmbëve, OSHEE s’merr masa, po rrezikojmë jetën çdo ditë”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 22.05.2026, 01:27

Një denoncim shqetësues ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania nga një banor i Thumanës, i cili thotë se familjet e zonës po rrezikojnë jetën çdo ditë për shkak të rrjetit të amortizuar elektrik dhe mungesës së ndërhyrjes nga institucionet përgjegjëse.

Sipas tij, mbrëmjen e sotme, rreth orës 22:20, telat e energjisë elektrike janë këputur dhe njëri prej tyre ka rënë fare pranë makinës së tij, në momentin kur po hynte në oborrin e shtëpisë.

Banori tregon se ishte duke mbyllur portën kur teli me energji elektrike ra para këmbëve të tij, ndërsa për të shmangur një tragjedi, familjarët janë detyruar ta lidhin telin me litar pas shtyllës, që të mos prekë telat e rrushit apo tokën.

Në videon e dërguar në redaksinë tonë, ai shprehet me ironi dhe revoltë ndaj mungesës së reagimit:

“Lajmëruam elektrikun dhe na tha: ‘Nuk e bëjmë ne këtë shërbim’. I thashë: ‘Po kë duhet të marrim, dentistin apo berberin?’ Telat janë shumë poshtë dhe na rrezikohet jeta çdo ditë.”

Sipas tij, problematika është e vazhdueshme dhe banorët jetojnë prej vitesh me shtylla dhe linja të vjetra elektrike, të cilat ai i quan “telat e kohës së xhaxhit Enver”.

Ai shton se në zonë janë vendosur linja të reja, por ende nuk janë vënë në funksion, ndërsa familjet vazhdojnë të furnizohen me rrjetin e amortizuar ekzistues.

“Janë rreth 30 shtëpi këtu. Telat këputen vazhdimisht dhe shpesh detyrohemi t’i riparojmë vetë. Dalim çdo ditë dhe shohim lart mos mungon ndonjë tel,” thotë ai.

Pas telefonatave për ndihmë, banori pretendon se energjia elektrike në zonë është ndërprerë plotësisht, ndërsa askush nuk ka shkuar ende për të riparuar defektin.

Banorët e Thumanës kërkojnë ndërhyrje urgjente nga OSHEE dhe institucionet përgjegjëse, pasi situata sipas tyre mund të kthehet në tragjedi nga momenti në moment.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit