Bashkia Tiranë nuk harron zakonin: Vjedh 270 milionë nëpërmjet ECO TIRANA

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.05.2026, 21:27

Një tjetër procedurë e dyshimtë prokurimi, që mban erë të fortë korrupsioni dhe paracaktimi të fituesit, ka ndodhur së fundmi me paratë e taksapaguesve të kryeqytetit. Kompania "ECO Tirana", në pronësi të përbashkët mes Bashkisë Tiranë dhe firmës italiane AGSM AIM, ka mbyllur një tender që ngre dyshime të mëdha për abuzim të hapur dhe pastrim të parave publike.

Objekti i kësaj procedure me numër reference REF-78007-03-03-2026 ishte "Blerje kamion me kapacitet të mesëm". Ndonëse bëhet fjalë për një procedurë të hapur dhe mbi kufirin e lartë monetar, hulumtimi i dokumentacionit nga JOQ Albania ka nxjerrë në dritë një skemë klasike të vjedhjes dhe eliminimit të garës.

"Gara" qesharake ku njëra firmë ofron 0 lekë

Në këtë tender morën pjesë vetëm dy firma. Por ajo që e bën të gjithë procesin një farsë të turpshme dhe dëshmi të pastër të një fituesi të paracaktuar, është fakti se njëra prej kompanive pjesëmarrëse ka paraqitur një ofertë prej saktësisht zero lekësh. Për rrjedhojë, pa pasur asnjë rivalitet real dhe pa asnjë sforcim në uljen e çmimit, fituese është shpallur e vetmja kompani që dha ofertë financiare: operatori "LIGUS", në pronësi të shtetasve Erion Muçaj dhe Amarilda Çelaj.

Kapet maksimumi i parave: Fituesi merr 97% të fondit limit

Pasi u kujdesën që gara të ishte fiktive, pronarët e kompanisë "LIGUS" kanë korrur pothuajse të gjithë thesin e parave të vëna në dispozicion nga taksat e qytetarëve të Tiranës.

Fondi limit i përcaktuar për blerjen e këtij kamioni ishte 23,200,000.00 lekë të reja pa TVSH ose gati 278 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kompania fituese ka ofruar vlerën prej rreth 270 milionë lekëve të vjetra me TVSH.

Nga një llogaritje e thjeshtë matematizore rezulton se vlera fituese e tenderit përbën plot 97% të fondit limit. Në një garë të vërtetë tregtare, ku kompanitë konkurrojnë me njëra-tjetrën, çmimet ulen ndjeshëm për të fituar kontratën, duke i kursyer para buxhetit të shtetit. Në këtë rast, kur fituesi dihej pa nisur puna, "LIGUS" ka shkuar direkt në tavanin e fondit limit, duke marrë çdo qindarkë të mundshme.

Paratë e taksapaguesve në xhepat e klientëve të paracaktuar

Ky tender është një pasqyrim i qartë se si vidhen në dritë të diellit paratë e qytetarëve të Tiranës. Bashkia e Tiranës, si aksionere mazhoritare e "ECO Tirana", lejon që fondet publike të kanalizohen përmes skemave me "oferta zero" tek operatorë të paracaktuar.

Fakti që institucionet e auditimit dhe prokurorisë mbyllin sytë përpara tenderave ku një kompani bën sikur merr pjesë duke ofruar 0 lekë, thjesht për të plotësuar numrin e formalisht, tregon se bëhet fjalë për një vjedhje të mirëorganizuar. Qytetarët e Tiranës paguajnë taksa të larta për shërbime, ndërsa paratë e tyre përfundojnë në kamionë të blerë me çmime maksimale përmes tenderash të dyshimtë dhe abuzivë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit