Celibashi i KQZ ka frikë të shkarkojë Nikun, kryebashkiakun e Kuçovës: E kam paragjykuar

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 21.05.2026, 19:43

Një tjetër debat juridik është ndezur pas vendimit të kreut të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për t’u tërhequr nga shqyrtimi i kërkesës për shkarkimin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Vendimi i tij ka hapur diskutime të forta mbi interpretimin e konfliktit të interesit dhe mënyrën se si po zbatohet Kodi i Procedurës Administrative.

Celibashi argumentoi se nuk mund të shqyrtojë çështjen, pasi sipas tij ndodhet në kushtet e konfliktit të interesit për shkak të një vendimmarrjeje të mëparshme, kur kishte vendosur në favor të vijimit të mandatit të Hajdarit. Ai deklaroi se, bazuar në të drejtën dhe detyrimin që i jep Kodi i Procedurës Administrative, po tërhiqet nga procesi për të shmangur çdo perceptim paragjykimi.

Megjithatë, interpretimi i bërë nga kreu i KQZ-së po kundërshtohet nga juristë dhe analistë ligjorë, të cilët theksojnë se neni 37 i Kodit të Procedurës Administrative parashikon përjashtimin e një zyrtari vetëm në raste specifike. Sipas tyre, dispozita që përmend Celibashi lidhet me rastet kur një zyrtar shqyrton një apelim ndaj një vendimi të marrë prej vetë atij në një organ administrativ ku ai është anëtar.

Në rastin konkret, nuk kemi të bëjmë me një apelim administrativ ndaj vendimit të mëparshëm të Celibashit, por me një kërkesë të ardhur nga SPAK, që sipas kritikëve duhet të trajtohet si procedurë ekzekutimi dhe jo si rishqyrtim i një vendimi të vjetër të KQZ-së.

Debati është thelluar edhe më tej pasi juristët argumentojnë se, nëse do të ndiqej logjika e përdorur nga Celibashi, atëherë ai nuk do të mund të zbatonte as vendime të tjera që rrëzojnë aktet e tij, përfshirë ato të Kolegji Zgjedhor. Sipas këtij interpretimi, çdo vendim i mëparshëm do ta vinte automatikisht në konflikt interesi, gjë që konsiderohet juridikisht e pabazuar.

Sipas nenit të përmendur, përjashtimi i Komisionerit do të ishte i justifikuar vetëm në rast se ai do të kishte një interes personal të drejtpërdrejtë ose të tërthortë në çështjen “Hajdari”. Pikërisht kjo pikë po ngre pikëpyetje të reja: a ekziston realisht një interes personal që e pengon Celibashin të marrë vendim, apo kemi të bëjmë me një interpretim të zgjeruar të ligjit?

Në qendër të debatit tashmë mbetet fakti nëse kreu i KQZ-së po aplikon saktë dispozitat e Kodit të Procedurës Administrative, apo po ngatërron procedurat administrative me ato penale, në një çështje që ka marrë vëmendje të lartë politike dhe juridike.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit