Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj pritet të largohet në orët në vijim nga Izraeli, pasi autoritetet izraelite kanë përfunduar procedurat e deportimit ndaj tij. Lajmi është bërë i ditur nga organizata ligjore izraelite “Adalah”, e cila po ndjek çështjen e aktivistëve të ndaluar gjatë misionit humanitar drejt Gazës.
Sipas burimeve të organizatës, Goxhaj do të deportohet së bashku me dhjetëra aktivistë të tjerë të flotiljes humanitare, të cilët u ndaluan pasi anijet e misionit u interceptuan nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare. Burimet bëjnë me dije se largimi i tyre do të kryhet me rrugë ajrore dhe destinacioni i parë do të jetë Turqia, ku tre avionë të kompanisë “Turkish Airlines” janë angazhuar për transportimin e qindra aktivistëve nga aeroporti Ramon në Izrael drejt Stambollit.
Mësohet se aktivisti shqiptar do të pritet në Stamboll nga përfaqësues të konsullatës shqiptare dhe më pas do të rikthehet në Shqipëri.
Lajmi u konfirmua edhe nga ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, i cili e cilësoi ndërhyrjen izraelite ndaj Flotiljes Globale të Lirisë si të paligjshme.
Baki Goxhaj ishte pjesë e misionit ndërkombëtar humanitar për Gazën, ku aktivistë nga vende të ndryshme europiane synonin të dërgonin ndihma humanitare dhe të sfidonin bllokadën ndaj territorit palestinez. Ndalimi i aktivistëve ka shkaktuar reagime ndërkombëtare dhe tension diplomatik në disa vende europiane.