Akuzat ndaj Belës mund të ashpërsohen, pritet të dëshmojë ish-futbollisti Igli Tare

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 20.05.2026, 16:06

Hetimet për çështjen e Belinda Ballukut duket se po hyjnë në një fazë edhe më intensive, teksa zhvillimet e fundit kanë sjellë në fokus dëshmi të reja, verifikime pasurie dhe lëvizje të tjera procedurale nga ana e SPAK.

Në kuadër të procesit hetimor, ditën e djeshme është marrë në pyetje Agron Tare, vëllai i ish-futbollistit Igli Tare. Dëshmia e tij lidhet me verifikimet që po kryhen për pasurinë e Ballukut dhe kontrollet e realizuara gjatë hetimit.

Paralelisht me këtë zhvillim, organi i akuzës ka ndërmarrë hapa edhe për të siguruar dëshminë e Igli Tares. Sipas informacioneve, janë dërguar dy fletë-thirrje ndaj ish-futbollistit dhe aktualisht po pritet përgjigjja e tij.

Burimet bëjnë me dije se thirrja e parë është kthyer pa rezultat pasi nuk është gjetur adresa e tij, ndërsa për fletë-thirrjen e dytë ende nuk ka një reagim. Prokurorët e konsiderojnë dëshminë e tij me rëndësi për vijimin e hetimeve, veçanërisht për aspektet që lidhen me pasurinë dhe raportet financiare që po verifikohen.

Ndërkohë, një tjetër element që pritet të ndikojë në ecurinë e dosjes janë celularët e sekuestruar gjatë kontrolleve të fundit. Për ta ende pritet një vendim gjykate, ndërsa procesi i ekspertimit kërkon kohë për shkak të analizës së materialeve që mund të përmbajnë.

Në fund të deklarimeve të saj, gazetarja Klodiana Lala paralajmëroi se hetimet mund të prodhojnë zhvillime të tjera dhe se akuzat mund të ashpërsohen në varësi të provave të reja që mund të dalin nga ekspertimet dhe analiza e dokumentacionit. Sipas saj, në fokus janë një sërë tenderash rrugësh, ndërsa vendimet përfundimtare do t’u takojnë prokurorëve që po ndjekin çështjen.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit