Një operacion i njësisë FAST të Policisë së Shtetit ka çuar dje në plagosjen e 23-vjeçarit Leonard Dema në Mamurras, gjatë përpjekjes për ta arrestuar. Bëhet me dije se pas disa ditësh ndjekjeje, forcat policore krijuan një grup operacional dhe përdorën makina jo të regjistruara si të policisë, duke qenë të pajisur me uniformë zyrtare.
Sipas policisë, gjatë përpjekjes për të bllokuar mjetin ku ndodheshin Dema dhe Amadeo Fufi, ky i fundit ka nxjerrë një objekt të ngjashëm me armë zjarri, çka ka bërë që efektivët të hapin zjarr, duke plagosur shoferin. Pas incidentit, grupi FAST ka arrestuar Fufin dhe ka transportuar Demën në spital. Arma është dërguar në laborator për verifikim dhe marrjen e gjurmëve të gishtërinjve.