Me fillimin e sezonit veror, në një nga zonat më të frekuentuara të bregdetit shqiptar janë ngritur shqetësime serioze për ndërhyrje në vijën bregdetare dhe ndotje të mjedisit.
Sipas denoncimeve të banorëve dhe pushuesve, në plazhin e Borshit po kryhen punime dhe betonieret po derdhin beton direkt në det ndërsa fadromat gërryejnë bregdetin.
Dëshmitarë në vendngjarje pohojnë se janë duke u vendosur kolona betoni shumë pranë vijës së ujit, në një zonë që përdoret gjerësisht nga pushuesit gjatë sezonit veror.
Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese, sipas tyre, është fakti se aktiviteti po zhvillohet në afërsi të godinës së Komisariatit të Policisë në Borsh, duke ngritur pikëpyetje mbi ndërhyrjen institucionale dhe kontrollin e territorit.
Banorët kërkojnë verifikim të menjëhershëm nga autoritetet përgjegjëse, përfshirë inspektoratet mjedisore dhe institucionet e rendit, duke theksuar se ndërhyrje të tilla mund të dëmtojnë rëndë vijën bregdetare dhe imazhin turistik të zonës.
Denoncimi i pushuesit:
Mund ta denonconi kete derdhjen e betonin mu ne plazh? Dhe po ndodh perpara syve te policise pasi eshte para komisariatit te policise Borsh. Po fusin kolona betoni ne det