Banorët e zonës së Laprakës, pranë Spitalit Ushtarak, kanë ngritur shqetësimin për vendosjen e një antene mbi një ndërtesë që sipas tyre funksionon pa leje dhe po rrezikon shëndetin e komunitetit, veçanërisht të fëmijëve.
Sipas denoncimit të mbërritur në redaksinë tonë, banorët pretendojnë se prej kohësh janë ankuar në institucione të ndryshme shtetërore, duke përfshirë edhe platformën “Hapësira Ime” dhe zyrën e Kryeministrit, por deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje apo zgjidhje konkrete.
Qytetarët shprehen se antena lëshon rrezatim të lartë dhe ka shkaktuar frikë e pasiguri te familjet që jetojnë pranë saj.
Ata deklarojnë se e gjithë lagjja ka firmosur peticione dhe ka bërë ankesa zyrtare, ndërsa akuzojnë institucionet për mosveprim.
“Na kanë mbytur me rreze, kemi fëmijë dhe askush nuk po merr masa”, shprehen banorët në denoncimin e tyre, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga autoritetet për verifikimin e ligjshmërisë së antenës dhe ndikimit të saj në shëndetin e banorëve.
