Burg për shoferin e dehur durrsak që përplasi patrullën e policisë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 20.05.2026, 12:47

Gjykata e Durrësit caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 44-vjeçarin Rezart Abazaj, i cili në fundjavë, në gjendje të dehur, goditi me makinë automjetin e policisë gjatë tentativës për t’u larguar. Abazaj pranoi veprën penale në gjykatë dhe shprehu pendesë, ndërsa avokati mbrojtës tha se klienti i tij ka kryer të njëjtën vepër edhe dy muaj më parë, për të cilën kishte masa shtrënguese detyrim paraqitjeje.

Sipas avokatit Vladimir Skënderi, ekziston dyshimi i arsyeshëm për disa vepra penale, duke përfshirë kundërshtimin me dhunë të punonjësve të rendit publik, shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtim automjeti në gjendje të dehur. Ai theksoi se niveli i alkoolit i Abazajt ishte 1.4, shumë i lartë, por klienti mbajti qëndrim pohues dhe pendues gjatë seancës. Gjykata vendosi arrest në burg për shkak të përsëritjes së veprës dhe rrezikut që paraqet.

Incidenti ndodhi mbrëmjen e së shtunës në zonën e ish-Kënetës në Durrës, vetëm pak metra larg vendit ku më parë kishte ndodhur një aksident tragjik që la të vdekur dy të mitur dhe plagosi një tjetër. Patrulla ishte njoftuar nga banorët për një drejtues që lëvizte me shpejtësi dhe në mënyrë të pakontrolluar, ndërsa gjatë ndjekjes Abazaj ka lëvizur mbrapsht dhe ka përplasur automjetin e policisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit