Kapitaneria e Portit të Durrësit mori një thirrje emergjente për ndihmë nga kroçiera “Marbella Explorer II” rreth orës 23:50, ndërsa anija ndodhej afro 20 milje larg bregdetit shqiptar. Në bord ndodhej një shtetas anglez me simptoma të rënda shëndetësore, i cili kishte nevojë për ndërhyrje të menjëhershme mjekësore.
Kroçiera, e cila po lundronte nga Korfuzi drejt Kotorit, u udhëzua nga autoritetet portuale të afrohej në radën e Portit të Durrësit për evakuimin e pacientit. Menjëherë u vu në lëvizje rimorkatori i portit, ndërsa u njoftuan edhe ambulanca, Policia Kufitare dhe strukturat e Sigurisë Portuale për koordinimin e operacionit të shpëtimit.
Rreth orës 02:30, shtetasi anglez me inicialet C.P. mbërriti në spitalin e Durrësit nën kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në operacionin e emergjencës morën pjesë rimorkatori “Joni” me ekuipazhin e tij, oficerët dhe Kapiteni i Portit të Durrësit, si dhe autoritetet e tjera përgjegjëse që mundësuan përfundimin me sukses të ndërhyrjes.