Prokuroria e Romës ka kërkuar dënim me burgim të përjetshëm për Mark Antony Samson, i akuzuar për vrasjen brutale të ish-të dashurës së tij, shqiptares Ilaria Sula, ngjarje e ndodhur në mars të vitit të kaluar.
Sipas hetimeve, Samson e vrau të renë me thikë dhe më pas fshehu trupin e saj në një valixhe, të cilën dyshohet se e hodhi në një humnerë në zonën e Capranica Prenestina. I riu ka pranuar krimin dhe akuzohet për vrasje me paramendim si dhe fshehje të kufomës.
Gjatë seancës gjyqësore, prokurorët deklaruan se vrasja ishte planifikuar dhe u krye me gjakftohtësi. Procesi po zhvillohet në sallën bunker të burgut Rebibbia në Romë.
Sipas dosjes hetimore, Samson e kishte thirrur Ilarian në apartamentin e tij në Romë, ku fillimisht dyshohet se e goditi me grushte dhe më pas e theri tre herë me thikë në qafë.
Prokurori shtesë Giuseppe Cascini deklaroi në gjykatë se autori i dyshuar “i kishte ngritur një pritë” viktimës, ndërsa e përshkroi Samson si një person manipulues dhe të mësuar me gënjeshtra, që kontrollonte jetën e Ilarias gjatë lidhjes së tyre.
Sipas prokurorisë, pas krimit Samson kishte dalë për të ngrënë, çka u konsiderua si shenjë e mungesës totale të pendesës apo mëshirës ndaj viktimës.
Në sallën e gjyqit ishin të pranishëm edhe prindërit e Ilaria Sulës, Flamur dhe Gezime Sula, të cilët thanë se mbështesin kërkesën për burgim të përjetshëm.
“Nesër do të ishte ditëlindja e Ilarias. Burgimin e vërtetë të përjetshëm e kemi ne, sepse ai ende jeton, merr frymë, ha dhe pi, ndërsa vajza jonë i mbylli sytë përgjithmonë”, u shprehën ata mes dhimbjes.