Një skenë kaotike është regjistruar pasditen e sotme, në qendër të Fierit, ku një automjet tip “Porsche” ka humbur kontrollin dhe është përplasur me forcë me dy makina të parkuara në anë të rrugës.
Sipas dëshmitarëve, mjeti po lëvizte me shpejtësi të lartë në momentin e aksidentit, duke shkaktuar panik te qytetarët që ndodheshin pranë zonës. Përplasja ka qenë e fortë dhe ka lënë të dëmtuara rëndë automjetet e parkuara.
Por ajo që ka tensionuar edhe më shumë situatën ka qenë reagimi i drejtuesit të “Porsche”-s pas aksidentit. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se ai ka tentuar të largohet menjëherë, madje ka hequr edhe targën e makinës për të shmangur identifikimin.
Kanë qenë qytetarët ata që kanë ndërhyrë të parët, duke i bllokuar rrugën dhe duke mos e lejuar të largohej deri në mbërritjen e policisë. Pak çaste më vonë, efektivët që ndodheshin pranë zonës kanë bërë shoqërimin e tij në komisariat.
Në vendngjarje kanë mbërritur disa patrulla policie, ndërsa grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit. Ende nuk dihet nëse drejtuesi ka qenë nën efektin e alkoolit apo nëse shpejtësia ka qenë shkaku kryesor i humbjes së kontrollit mbi mjetin.