Paradoksi: SPAK e heton, “ortaku” i familjes Berisha ngre kulla të reja

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19.05.2026, 21:20

Ndërsa Fatmir Bektashi ndodhet nën skanerin e Prokurorisë së Posaçme për dy dosje të rënda, kompania e tij “Kontakt” shton projektet dhe betonizon Tiranën me leje të reja nga qeveria.

Ndërsa skena politike shqiptare ushqehet çdo ditë me përplasje dhe retorikë të ashpër publike mes mazhorancës dhe opozitës, pas skenës, marrëdhëniet e biznesit dhe lejet e ndërtimit duket se binden para një pakti të heshtur. Rasti i ndërtuesit Fatmir Bektashi po kthehet në simbolin më të fortë të kësaj hipokrizie të dyanshme.

Bektashi ndodhet aktualisht nën hetim nga SPAK në dy dosje voluminoze që lidhen me akuzat për korrupsion dhe pastrim parash përfshirë dosjen "Partizani". Megjithatë, kjo situatë ligjore nuk e ka penguar që të vijojë të shpërblehet me leje ndërtimi për projekte miliona eurosh në zonat më të lakmuara të vendit.

Ironia e këtij suksesi tregtar qëndron te lidhjet e forta politike. Fatmir Bektashi njihet si bashkëpunëtor i afërt i Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha. Përmes strukturave të pronësisë, kompania e tij "Kontakt" rezulton e ndërthurur me shoqërinë "Magnet Imo", e kontrolluar nga Malltezi, i cili gjithashtu është nën akuzë nga SPAK.

Por, në vend që skandali të tkurrte aktivitetin e kompanisë, ka ndodhur e kundërta. "Kontakt" ka nisur një ofensivë masive ndërtimesh:

  • Në Tiranë: Janë drejt përfundimit projektet "Kaimi" dhe "Kadiu".

  • Në Farkë e Dajt: Po ndërtohen rreth 800 apartamente të reja, rezidenca "Oxa" dhe dhjetëra vila në kompleksin "Aba".

  • Në rrethe: Biznesi është shtrirë deri në zonën turistike të Drilonit.

Oreksi nuk ndalet këtu. Së fundmi, kompania ka shpallur projektin e saj më të ri të quajtur "Naya", një kompleks masiv kubash gjigantë betoni i pozicionuar pranë Unazës së Madhe, me lidhje direkte me qendrën e Tiranës.

Projekti i ri reklamohet pa asnjë kompleks ligjor, duke konfirmuar se planet e biznesit nuk preken nga proceset e SPAK-ut.

Ky realitet ngre një pyetje të thjeshtë: Si ka mundësi që një person nën hetim penal për pastrim parash dhe korrupsion e ka kaq të lehtë të marrë miratimin e institucioneve shtetërore për projekte kaq të mëdha?

Ndërsa Edi Rama dhe Sali Berisha shfaqen si armiq të papajtueshëm përpara kamerave, në terren, njerëzit e lidhur me ta ndajnë të njëjtat hapësira dhe të njëjtat miliona nën logon e kullave të betonit. Në këtë ekuacion, SPAK-u duket se ecën me një ritëm procedural, ndërsa firmat e lejeve të ndërtimit hidhen me shpejtësinë e dritës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit