Një aksident i rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin nacional Maqellarë-Peshkopi, ku janë përfshirë një furgon dhe një automjet.
Sipas informacioneve paraprake, dy mjetet janë përplasur me njëri-tjetrin në rrethana që ende nuk janë bërë të qarta, ndërsa si pasojë e goditjes kanë mbetur të plagosur dy persona.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se të lënduar kanë mbetur shtetasit Ylli Melani dhe Alban Melani, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt Tiranës për ndihmë më të specializuar mjekësore. Gjendja e tyre shëndetësore ende nuk dihet.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për normalizimin e qarkullimit në këtë segment rrugor.
Ndërkohë, autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar në rrugë dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit për të shmangur aksidente të tilla.