Një përplasje diplomatike ka shpërthyer mes Kroacisë dhe Izraelit, pasi presidenti kroat Zoran Milanoviç refuzoi zyrtarisht të japë miratimin për ambasadorin e ri izraelit në Zagreb.
Sipas presidencës kroate, kandidati i propozuar nga Izraeli “nuk ka marrë dhe nuk do të marrë pëlqimin e presidentit”, për shkak të politikave që po ndjek aktualisht qeveria izraelite.
Vendimi ka shkaktuar jehonë ndërkombëtare, pasi është hera e parë në historinë e Kroacisë që një president refuzon zyrtarisht emërimin e një ambasadori të huaj.
Për publikun që mund të jetë konfuz mbi situatën, Izraeli ka pasur ambasador në Kroaci edhe më parë. Aktualisht ambasador i Izraelit në Zagreb është Gary Koren, i cili ndodhet në detyrë prej vitit 2022 dhe mandati i tij po përfundon.
Izraeli kishte propozuar diplomatin Nissan Amdur si ambasadorin e ri në Kroaci që në nëntor të vitit 2025, por emri i tij kishte mbetur për muaj të tërë pa miratim nga presidenti kroat. Sipas mediave izraelite, refuzimi kishte rreth 7 muaj që zvarritej në heshtje.
Presidenca kroate deklaroi gjithashtu se Izraeli kishte thyer praktikën diplomatike duke publikuar emrin e ambasadorit të propozuar pa marrë më parë aprovimin zyrtar të presidentit kroat. Megjithatë, mesazhi kryesor i Zagrebit mbetet i lidhur me kundërshtimin ndaj politikave të qeverisë së Benjamin Netanyahut dhe luftës në Gaza.
Presidenti Milanoviç ka qenë një kritik i fortë i Izraelit muajt e fundit. Ai ka dënuar operacionet ushtarake në Gaza dhe më herët kishte deklaruar se Kroacia nuk do të bashkëpunonte me ushtrinë izraelite për shkak të shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Pavarësisht refuzimit, marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve nuk janë ndërprerë. Izraeli pritet ta përfaqësojë ambasadën e tij në Zagreb përmes një “charge d’affaires”, një post diplomatik që nuk kërkon miratimin e presidentit kroat.