Një 14-vjeçare nga Vlora, e raportuar më herët e zhdukur nga familjarët pas largimit nga shkolla, është gjetur gjatë mbrëmjes në Tiranë, pas disa orësh kërkimesh nga familja dhe autoritetet.
E mitura, e identifikuar si Kaltra Llanaj, dyshohet se është larguar pas një konflikti me një mësues lidhur me një notë. Pas përfundimit të mësimit, ajo është larguar nga ambientet e shkollës dhe ka udhëtuar drejt kryeqytetit me një furgon, pa telefon celular dhe pa para me vete.
Pas disa orësh kërkimesh intensive, ajo është lokalizuar rreth orës 22:00 në një lulishte në Tiranë.
Sipas familjarëve, 14-vjeçarja është gjetur në gjendje të mirë shëndetësore. Ata janë nisur drejt Tiranës për ta marrë, ndërsa mësohet se e mitura kishte shprehur dëshirën për të takuar vëllanë e saj që jeton në kryeqytet.