Gazetari denoncon pronarin e ‘Xhedis’: U dhunova nga disa persona, Prek Gjoni ishte me ta!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18.05.2026, 23:39

Një ngjarje e rëndë është denoncuar mbrëmjen e sotme nga gazetari shkodran Ervin Dushi, i cili pretendon se është dhunuar fizikisht nga katër persona, mes të cilëve, sipas tij, ndodhej edhe pronari i rrjetit të supermarketeve “Xhedis”, Prek Gjoni.

Në një video të publikuar nga vetë gazetari pak para se të hynte në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës për të bërë kallëzimin, Dushi shfaqet me plagë dhe dëmtime në fytyrë, ndërsa tregon se ngjarja ka ndodhur vetëm pak minuta më herët.

“Jam dhunuar fizikisht nga pronari i rrjetit të supermarketeve Xhedis, ishte vetë i katërti. Nuk e di mirë nëse u përfshi në sherr, pasi ishin 4 persona, por ai ishte vetë me ta. Kamerat do ta tregojnë realitetin se kush u përfshi dhe kush nuk u përfshi”, shprehet gazetari në video.

Ai shton se do ta ndjekë çështjen në rrugë ligjore, ndërsa rasti është denoncuar zyrtarisht edhe në Policinë e Shkodrës. Sipas tij, kamerat e sigurisë pritet të hedhin dritë mbi personat e përfshirë dhe rolin që secili ka pasur në ngjarje.

Kjo ngjarje vjen vetëm pak javë pas dy denoncimeve të forta të publikuara nga JOQ Albania në lidhje me rrjetin e supermarketeve “Xhedis”.

Denoncimi i parë ishte nga një qytetar në Shkodër, i cili pretendonte se pronari i kompanisë ushtronte presion dhe dhunë verbale ndaj punonjëseve, përfshirë kërcënime për largim nga puna dhe penalizime financiare. Për këto akuza nuk janë paraqitur prova të pavarura dhe ato mbeten në nivel pretendimi.

Më pas, vetë gazetari Ervin Dushi publikoi një video ku denonconte atë që e cilësonte si presion psikologjik ndaj qytetarit që kishte folur publikisht. Ai pretendonte se pranë banesës së denoncuesit shfaqeshin vazhdimisht mjete policie dhe persona që lidhen me familjen Gjoni, çka sipas tij krijonte klimë intimidimi.

Pas publikimeve, kompania “Xhedis” i ka mohuar kategorikisht akuzat dhe ka deklaruar se do të ndjekë rrugët ligjore për mbrojtjen e reputacionit të saj.

Ndërkohë, pas ngjarjes së sotme, pritet që hetimet dhe pamjet filmike të sqarojnë plotësisht dinamikën e konfliktit dhe personat e përfshirë në dhunimin e gazetarit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit