Plagosja në Kuçovë, kush është 45-vjeçari që i mori armën efektivit dhe e qëlloi në kofshë

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 18.05.2026, 22:41

Detaje të reja kanë dalë nga plagosja e efektivit të policisë mbrëmjen e sotme në dalje të fshatit Kutalli.

Sipas burimeve, 45-vjeçari Zamir Skënderi, me precedentë penalë, ishte shoqëruar më herët gjatë ditës pasi ishte konfliktuar në ambientet e Prokurorisë së Fierit. Pas shoqërimit nga DVP Fier, ai iu dorëzua Policisë së Kuçovës për transport drejt komisariatit.

Gjatë rrugës, në momentin kur ndodhej në sediljen e pasme të automjetit të policisë, Skënderi ka arritur të marrë armën e shërbimit të efektivit 20-vjeçar Arsen Toska dhe ka qëlluar ndaj tij, duke e plagosur në kofshë.

Menjëherë pas të shtënës, situata është përshkallëzuar brenda mjetit. Dy efektivët e tjerë kanë reaguar duke ndërhyrë dhe kanë arritur ta neutralizojnë dhe arrestojnë 45-vjeçarin.

Efektivi i plagosur është transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal të Beratit, ku ka marrë ndihmën e parë, ndërsa më pas është dërguar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.

Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie dhe ekspertë të AMP-së, të cilët po kryejnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe mënyrën se si i shoqëruari ka arritur të çarmatosë efektivin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit