Ndërsa SPAK ka zgjeruar hetimet duke e futur zyrtarisht në dosjen e nxehtë korruptive të AKSHI-t, biznesmeni Gentian Likaj duket se nuk e ka ndalur hovin e marrjes së parave publike përmes tenderave tejet të dyshimtë.
Këtë herë, "gostia" vjen pikërisht nga institucioni që ligjërisht ka detyrën të kontrollojë pasuritë e zyrtarëve dhe të parandalojë konfliktin e interesit: Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI).
ILDKPKI ka mbyllur procedurën e tenderit me numër reference REF-77090-02-23-2026 për "Rinovimin e licencave të komponentëve të sigurisë kibernetike dhe mirëmbajtjen e sistemeve". Fondi limit i vënë në dispozicion nga shteti ishte 7,500,000.00 lekë të reja pa TVSH. Fitues është shpallur pikërisht kompania "COMMUNICATION PROGRESS", në pronësi të Gentian Likajt dhe Enkeleidi Zoraqit.

Fakti që zoti Likaj është vënë nën shënjestrën e SPAK-ut si pjesë e grupit të hetuar për manipulimin e tenderave miliona eurosh në AKSHI, duket se nuk ka përbërë asnjë pengesë për komisionin e vlerësimit të ofertave në ILDKPKI. Dokumentacioni i këtij prokurimi shpërfaq një skenar të pastër "garë formale" me fitues të paracaktuar:

Kompania e Likajt ka fituar tenderin me vlerën 6,969,850.00 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 84 milionë lekë të vjetra me TVSH. Një llogaritje e thjeshtë tregon se kjo ofertë kap plot 93% të fondit limit.
Në gjuhën e auditimeve dhe monitoruesve të prokurimeve publike, ky konsiderohet një "Flamur i Kuq" (Red Flag) i pastër: një situatë ku operatori e di saktësisht se sa është tavani i fondit dhe ofron vlerën maksimale, i sigurt që nuk ka konkurrencë reale dhe se gara është thjesht një procedurë formale mbi letër.
Fakti që një emër i skeduar nga SPAK për "qepje" tenderash në fushën e IT-së pranë AKSHI-t merr me të njëjtën metodë edhe paratë e sigurisë kibernetike të ILDKPKI-së, ngre pikëpyetje të mëdha se sa thellë është shtrirë kjo skemë korruptive në institucionet shqiptare.
