Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme, ku një efektiv i Policisë së Shtetit ka mbetur i plagosur me armën e tij të shërbimit nga një person i shoqëruar.
Incidenti u regjistrua rreth orës 19:00, gjatë kohës që shërbimet e Komisariatit të Policisë Kuçovë po transportonin shtetasin Z. S., 45 vjeç, nga Fieri drejt ambienteve të policisë së Kuçovës, pasi ishte ndaluar fillimisht për "Prishje të qetësisë publike".
Gjatë rrugës, 45-vjeçari ka nisur një konflikt fizik me një prej efektivëve të patrullës, shtetasin A. T., vetëm 20 vjeç. Në mes të përleshjes, i shoqëruari ka arritur t'i rrëmbejë armën e zjarrit punonjësit të policisë dhe ka qëlluar duke e plagosur atë.
Ndërhyrja e menjëhershme e kolegëve të patrullës bëri të mundur neutralizimin e autorit dhe rimarrjen e armës së shërbimit, duke parandaluar një tragjedi më të madhe. Efektivi i plagosur u dërgua me urgjencë në spital dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas prangosjes së autorit, gjatë kontrollit fizik të imtësishëm, policia i gjeti të fshehur në trup edhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar si kokainë.
Ndërkohë, një grup hetimor së bashku me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, kanë nisur një hetim të thelluar për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për të verifikuar nëse efektivët kanë respektuar të gjitha procedurat standarde të sigurisë gjatë shoqërimit të 45-vjeçarit.