Një 46-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën ditën e sotme në Greqi, teksa punonte në një projekt për ndërtimin e rrjetit të ujërave të zeza në zonën e Janinës.
Sipas mediave greke, viktima, baba i dy fëmijëve, ishte duke kryer punime gërmimi kur një masë dheu u shemb papritur, duke e zënë poshtë dhe duke i shkaktuar vdekjen.
Menjëherë në vendngjarje mbërritën ekipet e shpëtimit dhe një ambulancë e EKAB-së. Mjekët tentuan ta rikthenin në jetë përmes manovrave të reanimimit (CPR), por përpjekjet rezultuan të pasuksesshme.
Lidhur me ngjarjen është arrestuar përgjegjësi i kantierit të ndërtimit, ndërsa autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik.
Në vendin e ngjarjes shkoi edhe një ekip nga Administrata e Qendrës së Punës në Janinë, i cili po kërkon hetim të detajuar për shkaqet e aksidentit dhe përcaktimin e përgjegjësive.