Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është i vetmi që s’ka reaguar si i pari i ekzekutivit të Kosovës lidhur me protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut në përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e saj, e cila pritet të mbahet nga ora 16:30 më 18 maj (nesër).
Kurti ka me koalicionin VLEN në Maqedoninë e Veriut, por edhe me vetë kryeministrin maqedonas Hristijan Mickoski.
Kurti dhe Hristijan Mickoski u panë shumë të afërt dhe miqësor me njëri tjetrin gjatë kongresit të VLEN-it.
As ai, as një anëtar i trupës ekzekutive në detyrë të Kosovës s’e kanë thënë asnjë fjalë lidhur me këtë protestë.
Megjithatë, mbështetje për protestën kanë ofruar akterë të tjerë politikë nga Kosova.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, është shprehur se zëri i studentëve përfaqëson një brez që kërkon respekt, barazi dhe dinjitet për identitetin kombëtar. Ai tha se do të jetë pranë çdo të riu shqiptar që ngrihet për të mbrojtur gjuhën, identitetin dhe të drejtat e tij.
Pos tij në mbështetje për protestën e studentëve shqiptarë në Shkup ka shprehur edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, duke e cilësuar atë si një betejë për të drejtat themelore dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe. Për të është e papranueshme që në vitin 2026, në një shtet anëtar të NATO-s, shqiptarët ende të detyrohen të protestojnë për identitetin dhe dinjitetin e tyre.
Në anën tjetër, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale, por gjuhë autoktone e këtij trualli që ka mbijetuar brez pas brezi pavarësisht historisë dhe sfidave. Ai ka shtuar se gjuha shqipe është e garantuar me Kushtetutë dhe përfaqëson të drejtën e patjetërsueshme të çdo shqiptari për ta përdorur në arsim, komunikim dhe jetën publike pa frikë e pa kompromis.
Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka përcjellë një mesazh për rëndësinë e gjuhës shqipe në prag të protestës së paralajmëruar nga studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, për mbrojtjen e saj dhe kryerjen e provimeve në shqip.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Meidani ka ndarë disa vargje nga poezia “Gjuha Shqype” e Gjergj Fishtës.
Pos politikës, reagime ka pasur edhe nga bota e artit. Këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha ka reaguar në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke shkruar se gjuha shqipe është pjesë thelbësore e identitetit kombëtar dhe një e drejtë e fituar me sakrificë ndër breza.
Këngëtari Ilir Shaqiri, duke mbështetur studentët, postoi një status për gjuhën shqipe si një nga shtyllat kryesore të identitetit kombëtar.