Një moment i veçantë dhe mjaft prekës është filmuar mbrëmjen e së dielës në ndeshjen mes Elbasanit dhe Egnatias, e vlefshme për fazën “Final 4” të “Abissnet Superiore”.
Teksa tifozët po futeshin në shkallët e stadiumit, një qytetar ka filmuar disa efektivë policie duke ndihmuar një person me aftësi të kufizuara, i cili lëvizte me karrocë invalidi. Në pamje, punonjësit e policisë shihen duke e mbajtur në krah për ta ndihmuar të kalojë shkallët dhe hyrjen mes fluksit të tifozëve.
“Një moment që më bëri përshtypje tek ndeshja Elbasani-Egnatia nga punonjesit e policisë të cilët po ndihmonin një person me aftësi të kufizuara me karrige invalidi dhe po e mbanin në krahë përpos përplasjeve që patën tifozët në fund”, shkruan qytetari që dërgoi videon në redaksinë e JOQ Albania.
Gjesti i efektivëve ka marrë vëmendje të veçantë në rrjet, sidomos pasi në fund të takimit pati tensione dhe tentativa për përplasje mes tifozëve të dy skuadrave, ku policia u detyrua të ndërhyjë për të qetësuar situatën.
Sa i përket ndeshjes, Egnatia fitoi bindshëm 4-0 ndaj AF Elbasanit në “Air Albania”. Bakajoko realizoi dy gola për skuadrën rrogozhinase, ndërsa Fernando dhe Aleksi vulosën suksesin që i jep Egnatias tri pikët e para në fazën “Final 4”.