Breshka e detit në Velipojë del në breg për të bërë vezët, përfundon e masakruar

Shkruar nga: A Gjoni | Publikuar më: 17.05.2026, 23:26

Vetëm pak orë pasi në plazhin e Zvërnecit në Vlorë u gjet e ngordhur një breshkë e vogël deti me dëmtime të dukshme në trup dhe shenja gjaku, një tjetër rast shqetësues është denoncuar këtë herë nga Velipoja.

Një qytetare ka dërguar pranë redaksisë së JOQ Albania, një video tronditëse, ku sipas pamjeve shfaqet një breshkë deti e plagosur rëndë në një nga plazhet e zonës. Ajo shprehet se breshka duket të jetë goditur në kokë, pikërisht në momentin kur ka dalë në breg për të lëshuar vezët.

“Kjo video është bërë në Velipojë, në një nga plazhet jo shumë larg nga rruga kryesore. Sapo e pashë dhe jam e shokuar. Duket qartë që i kanë rënë në kokë të shkretes gjatë kohës që ka dalë për të lëshuar vezët”, shprehet qytetarja.

Ngjarjet e njëpasnjëshme kanë ngritur shqetësim të madh tek qytetarët, mbrojtësit e mjedisit,dhe shoqatat e mbrojtjes së faunës detare, të cilët kërkojnë reagim nga institucionet përgjegjëse.

Breshkat e detit janë specie të mbrojtura dhe në rrezik zhdukjeje, ndërsa raste të tilla konsiderohen kërcënim serioz për biodiversitetin detar në brigjet shqiptare.

Me afrimin e sezonit turistik dhe shtimin e lëvizjes së mjeteve lundruese, ekspertët paralajmërojnë se fauna detare po përballet me rrezik gjithnjë e më të madh.

Qytetarët kërkojnë më shumë kontrolle, monitorim dhe masa konkrete për mbrojtjen e këtyre gjallesave detare, pasi mesa duket raste të tilla janë kthyer në normalitet në brigjet shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit