Shqipëria është rikthyer me rezultate pozitive nga Kampionati Ballkanik i MMA-së, i zhvilluar në Beograd, ku sportistët kuqezi arritën të sigurojnë disa medalje dhe paraqitje dinjitoze në arenën rajonale.
Alkeo Bici u shpall nënkampion i Ballkanit, duke fituar medaljen e argjendtë, ndërsa Jorig Daci, Renis Hyka dhe Noel Ndrecaj i shtuan delegacionit shqiptar tre medalje bronzi.
Paraqitje premtuese zhvilloi edhe Gersi Aliu, i cili në debutimin e tij në një kompeticion ndërkombëtar arriti të renditet në vendin e pestë.
Presidenti i federatës shqiptare të MMA-së, Arjan Rizai, përgëzoi ekipin për rezultatet e arritura dhe theksoi se ky sport ka nevojë për më shumë mbështetje dhe investim për të vijuar zhvillimin në vend.