Detaje të tjera kanë dalë në dritë lidhur me grabitjen me armë të ndodhur në një argjendari në Kamëz.
Sipas pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, e gjithë ngjarja është zhvilluar brenda më pak se një minute. Dy persona të maskuar dhe të armatosur me kallashnikov kanë hyrë në argjendari dhe në pak sekonda kanë marrë bizhuteri ari dhe argjendi me vlerë rreth 7 milionë lekë të vjetra.
Nga filmimet rezulton se njëri prej autorëve ka qëndruar pranë hyrjes, duke mbajtur nën kontroll situatën dhe motorin e parkuar jashtë, ndërsa bashkëpunëtori i tij ka marrë bizhuteritë nën kërcënimin e armës. Më pas, ata janë larguar me shpejtësi, duke marrë me vete një çantë të mbushur me sende me vlerë.
Edhe pse hetimet vijojnë, autorët ende nuk janë identifikuar, pasi gjatë gjithë kohës kanë qenë të maskuar, që nga hyrja në dyqan e deri në largimin nga zona.
Policia ka arritur të rindërtojë vetëm itinerarin e arratisjes. Kamerat e sigurisë i kanë filmuar grabitësit deri pranë zonës së Zallherrit, ku gjatë largimit me motor dyshohet se kanë humbur kontrollin dhe janë rrëzuar, por pavarësisht kësaj kanë mundur të largohen.
Ndërkohë, disa persona me precedentë penalë janë shoqëruar për verifikime, por pas marrjes në pyetje janë lënë të lirë.
Në dëshminë e saj, punonjësja e argjendarisë ka treguar se nuk është përballur drejtpërdrejt me autorët, pasi në momentin e grabitjes ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe jo pranë banakut.