Itinerari i autorëve të grabitjes së një argjendarie në Kamëz është zbuluar përmes kamerave të sigurisë, të cilat kanë dokumentuar lëvizjet e tyre pas ngjarjes së ndodhur të shtunën. Sipas burimeve, grabitësit janë larguar menjëherë në drejtim të Zallherrit me motor dhe të maskuar gjatë gjithë kohës.
Në një moment gjatë arratisjes, autorët kanë rrëshqitur dhe janë rrëzuar me motor, por më pas kanë arritur të vijojnë largimin. Ndërkohë, po kryhen kontrolle dhe verifikime për identifikimin e tyre, ndërsa disa persona me precedentë penalë në zonë janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen.
Hetuesit po analizojnë provat e mbledhura në vendngjarje, ku dyshohet se janë marrë sende ari dhe argjendi. Në pyetje është marrë edhe punonjësja e argjendarisë, e cila ka deklaruar se gjatë grabitjes ndodhej në pjesën e pasme të dyqanit dhe nuk është përballur me autorët.