Një denoncim ka mbërritur në redaksinë e JOQ Albania për një rast vjedhjeje të përsëritur në një lokal pranë Urës së Dajlanit, në afërsi të hyrjes së Portit të Durrësit.
Denoncuesja ka dërguar edhe pamje nga kamerat e sigurisë, ku shihet qartë një i ri teksa hap me forcë frigoriferin e lokalit dhe merr pije alkoolike dhe joalkoolike. Sipas saj, nuk bëhet fjalë për herën e parë, pasi i njëjti person ka vjedhur edhe më herët në të njëjtin biznes.
Pronarët tregojnë se gjatë rastit të parë autori kishte dëmtuar rëndë frigoriferin, duke shkaktuar një dëm që sipas tyre arrin në rreth 300-400 mijë lekë të vjetra, ndërsa kishte marrë një sasi pijesh. Edhe këtë herë kamerat e sigurisë e kanë filmuar sërish gjatë vjedhjes.
“Është hera e dytë që vjedh këtu. Herën e parë e shqeu komplet frigoriferin. Vjen gjithmonë gjatë orëve të vona të natës për të vjedhur. Kemi frikë se mos rikthehet përsëri”, shprehet denoncuesja për JOQ Albania.
Banorët dhe bizneset e zonës kërkojnë më shumë siguri dhe reagim nga autoritetet, pasi sipas tyre raste të tilla po përsëriten dhe po krijojnë pasiguri tek pronarët e lokaleve pranë zonës së portit.