Një denoncim shqetësues ka mbërritur nga qytetarët në redaksi, ku në rrugën e Lezhës, gjatë mbrëmjes është filmuar një automjet i Policisë së Shtetit duke qarkulluar pa asnjë dritë të ndezur.
Në pamjet e dërguara, shihet qartë një makinë policie që lëviz në një segment rrugor me ndriçim të dobët, ndërsa mjeti nuk ka të ndezura as dritat e përparme dhe as sinjalizimin e zakonshëm gjatë qarkullimit.
Qytetari që kanë hasur situatën shprehet i shqetësuar, duke theksuar se një veprim i tillë në rrugë përbën rrezik të drejtpërdrejtë për aksidente, si për drejtuesit e tjerë të mjeteve, ashtu edhe për vetë efektivët e policisë. Sipas tyre, në kushte të tilla, dukshmëria në rrugë është e domosdoshme dhe çdo mungesë sinjalizimi mund të ketë pasoja të rënda.
Rasti ka ngjallur diskutime edhe mbi respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor nga vetë mjetet shtetërore, të cilat në çdo rast duhet të shërbejnë si shembull për drejtuesit e tjerë të automjeteve.