Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Modenës në Itali, ku një makinë është përplasur me një grup këmbësorësh në qendër të qytetit, duke lënë të paktën 10 persona të plagosur.
Sipas mediave italiane, automjeti drejtohej nga një 31-vjeçar, i cili pas ngjarjes ka tentuar të largohet nga vendi i aksidentit. Gjatë përpjekjes për ta ndaluar, ai dyshohet se ka goditur me thikë një person që i kishte bllokuar rrugën.
Në vendngjarje mbërritën menjëherë ambulancat dhe forcat e policisë, ndërsa të plagosurit u transportuan drejt spitalit për të marrë ndihmën mjekësore.
Mediat italiane raportojnë se bilanci i të lënduarve mund të ndryshojë, pasi autoritetet po vijojnë verifikimet për numrin e saktë të personave të prekur nga përplasja.
Sipas raportimeve paraprake, një prej viktimave ka pësuar dëmtime shumë të rënda, duke humbur të dyja këmbët si pasojë e goditjes së fortë.
Policia ka shoqëruar 31-vjeçarin dhe po heton për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe motivet që çuan në këtë incident tronditës në zemër të Modenës.