SI SOT/ Mirlinda kënaqte Jotin dhe Beqajn me miliona, e-Albania jashtë funksionit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 16.05.2026, 16:09

Katër vite më parë, më 16 maj 2022, qytetarëve shqiptarë iu premtua “revolucioni digjital”, ku çdo shërbim publik do të merrej online përmes portalit E-Albania. Por ndërsa kryeministri Edi Rama reklamonte modernizimin, sistemi u gjunjëzua nga ngadalësimi dhe mosfunksionimi, duke lënë mijëra qytetarë për orë të tëra përballë ekranit me mesazhin klasik: “Serveri nuk përgjigjet”. Në të njëjtën kohë, drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, firmoste një tjetër tender të majmë për “mirëmbajtjen” e platformës që mezi hapej. Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-22761-03-23-2022, me objekt “Mirëmbajtja e 209 shërbimeve elektronike në portalin e-Albania”, me fond limit 61.3 milionë lekë të reja pa TVSH, ose rreth 730 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Fitues u shpall bashkimi i operatorëve “Infosoft Systems”, “IkubINFO” dhe “Intech+”, për vlerën 57.2 milionë lekë të reja pa TVSH, ose afro 700 milionë lekë të vjetra. Në krye të përfituesve qëndronte biznesmeni Grigor Joti i “Infosoft”, një emër i njohur për tenderët publikë të teknologjisë, ndërsa pjesë e skemës ishte edhe “Intech+”, kompani e lidhur me ish-ministrin Ilir Beqaj. Ironia qëndronte te fakti se qytetarët nuk arrinin të shkarkonin një certifikatë familjare apo të aplikonin për një dokument pa u bllokuar sistemi, ndërsa miliona lekë qarkullonin për “mirëmbajtje”. Tenderi u zhvillua me konkurrencë minimale, vetëm dy operatorë në garë dhe oferta fituese sa 93% e fondit limit, një formulë që në Shqipëri zakonisht përkthehet: “gara u bë sa për procedurë”.

Sot, katër vite më pas, shumë qytetarë vazhdojnë të ankohen për vonesa, bllokime dhe shërbime që shpesh funksionojnë më shumë në konferenca propagandistike sesa në praktikë. Ndërkohë, paratë publike kanë vazhduar të rrjedhin pa problem drejt kompanive të preferuara të teknologjisë. E-Albania u shit si simbol i shtetit modern, por për qytetarët u kthye shpesh në një “radhë virtuale” ku nervat harxhohen më shpejt se interneti. Në fund, shqiptarët morën portalin që nuk hapej, ndërsa oligarkët e tenderëve morën miliona për ta “mirëmbajtur”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit