Mori ryshfet nga bandat, kreu i bluve në Sarandë justifikohet: Isha i zënë me vrasjen e biznesmenit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 16.05.2026, 15:07

Beach bari pa leje në zonën e Kanalit të Çukës në Sarandë ka çuar në arrestimin e shefit të Komisariatit, Gëzim Bashllari, i cili para hetuesve të AMP-së është justifikuar duke deklaruar se ishte i angazhuar me hetimet për vrasjen e një biznesmeni dhe nuk kishte pasur kohë të merrej me ndërtimin pa leje. Bashkë me të u ndaluan edhe tre efektivë të tjerë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj, të dyshuar për shpërdorim detyre, mosveprim dhe favorizim të aktivitetit të paligjshëm. Ndërkohë, nga detyra është pezulluar edhe shefi i Krimeve në Sarandë, Blerim Tafçiu, pasi nuk u paraqit për t’u marrë në pyetje nga AMP.

Sipas hetimeve, beach bari i njohur si “CopaCabana Saranda”, në pronësi të Arjola Dhrami Bajo që prej vitit 2022, dyshohet se kontrollohej nga një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili kishte marrë me forcë pronën që më herët lidhej me Isuf Jaçajn. Ky i fundit u ekzekutua me tritol në automjetin e tij në tetor të vitit 2025. Hetuesit dyshojnë se grupi kriminal ka paguar ryshfete të majme tek drejtuesit lokalë të policisë për të lejuar ndërtimin pa leje të stacionit të plazhit në prag të sezonit turistik.

Ngjarja ka nxjerrë në pah edhe një seri konfliktesh kriminale në Sarandë, përfshirë atentatin ndaj Isuf Jaçajt, tentativën për vrasjen e djalit të tij Klaus Jaçaj me tritol dhe një konflikt me armë për tokat në bregdet me dy të rinj nga Kamza, Gëzim Hajdaraj dhe Ernest Lami. Operacioni nisi pas një denoncimi për ndërtimin pa leje, çka çoi në arrestimin e 8 punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares Arjola Dhrami Bajo. Më pas, IKMT dhe strukturat vendore ndërhynë për prishjen e objekteve pa leje, ndërsa ministri i Brendshëm Besfort Lamallari deklaroi se në Policinë e Shtetit nuk do të ketë vend për efektivë që bashkëpunojnë me krimin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit